Gjatë kësaj jave, AFPRA – Shoqata Shqiptare për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin, zhvilloi në ambientet e Bazës Ajrore Farkë trajnimin bazik për efektivin zjarrfikës.
Ky trajnim u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë me Komandën e Bazës Ajrore Farkë dhe përkushtimit të veçantë të komandantit, nënkolonel Ervin Buzi, i cili ka treguar vëmendje të veçantë për forcimin e kapaciteteve të sektorit të MZSH-së, i cili është një komponent jetik për sigurinë e kësaj bazës.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u pajisën me njohuri teorike dhe aftësi praktike mbi reagimin ndaj zjarreve, përdorimin e automjeteve dhe pajisjeve tekniko-zjarrfikëse, si dhe zhvillimin e aftësive operacionale në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, ekipi i AFPRA pati gjithashtu mundësinë të shkëmbejë përvoja me pilotët e helikopterëve të Bazës Ajrore, duke ndarë perspektivat respektive mbi sfidat e ndërhyrjeve gjatë zjarreve në pyje. Ky dialog kontribuoi në kuptimin më të mirë të nevojave të ndërsjella mes ekipeve tokësore dhe atyre ajrore.
Shoqata AFPRA falënderon të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin dhe seriozitetin e treguar dhe mbetet e gatshme të vijojë mbështetjen për rritjen e kapaciteteve në çdo strukturë që i shërben sigurisë publike.
Forcimi i sektorit të MZSH është investim për sigurinë kolektive!