Nga Memorandumi në Terren – Vizita e parë e @fire International në Shqipëri ! main image

Nga Memorandumi në Terren – Vizita e parë e @fire International në Shqipëri !

Pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet AFPRA – Albanian Fire Protection and Rescue Association dhe @fire International, bashkëpunimi ynë hodhi një hap tjetër të rëndësishëm: vizitën e parë të partnerëve tanë nga Gjermania në Shqipëri.

Në postimin tonë të mëparshëm shkruam se shumë shpejt prisnim vizitën e kthimit të miqve tanë, në mënyrë që edhe ata të njiheshin nga afër me terrenin, natyrën dhe potencialin që vendi ynë ofron në fushën e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit. Këtë herë, ata patën mundësinë ta shihnin Shqipërinë nga afër.

Gjatë vizitës, AFPRA prezantoi partnerët e @fire International me bashki, shërbime vendore të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si dhe aktorë të tjerë institucionalë, duke u dhënë atyre një pasqyrë reale mbi kushtet, sfidat dhe nevojat konkrete në terren. Partnerët tanë patën gjithashtu mundësinë të vizitonin një vatër zjarri, ku panë nga afër karakteristikat e terrenit, mënyrën e ndërhyrjes dhe rëndësinë që kanë kapacitetet e përgatitura, të koordinuara dhe të integruara me sistemin ekzistues të MZSH-së.

Një moment shumë i rëndësishëm i kësaj vizite ishte takimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit dhe Drejtorin e Përgjithshëm, ku AFPRA dhe @fire International prezantuan vizionin dhe planet e përbashkëta për të ardhmen. Në këtë takim u theksua qartë se çdo iniciativë e përbashkët do të zhvillohet në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi, në koordinim me institucionet përgjegjëse dhe me qëllim të vetëm: fuqizimin e sistemit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Shqipëri.

Për AFPRA-n, ky bashkëpunim nuk është thjesht një marrëdhënie ndërkombëtare në letër. Është një mundësi konkrete për të sjellë eksperiencë, trajnime, modele organizimi dhe mbështetje praktike, duke i përshtatur ato me realitetin shqiptar dhe duke i vendosur në shërbim të institucioneve dhe komuniteteve tona.

Falënderojmë partnerët tanë nga @fire International për seriozitetin, përkushtimin dhe gatishmërinë për të njohur nga afër realitetin shqiptar, si dhe të gjitha institucionet, bashkitë dhe shërbimet vendore që mirëpritën këtë vizitë dhe ndanë eksperiencën e tyre.

🤝 Zjarret nuk njohin kufij, dhe as bashkëpunimi në luftën kundër tyre.

Së bashku, nga përvoja në veprim, për një sistem më të fortë, më të përgatitur dhe më të koordinuar të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Shqipëri.

🎬 Premiera në Shqipëri e dokumentarit "Blaulicht Albanien" main image

🎬 Premiera në Shqipëri e dokumentarit "Blaulicht Albanien"

Për herë të parë në Shqipëri, Shoqata AFPRA, nëpërmjet anëtarit të saj z. Grei Papa, prezantoi dokumentarin “Blaulicht Albanien” – një projekt i veçantë që sjell në vëmendje zhvillimin, sfidat, përkushtimin dhe profesionalizmin e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në vendin tonë.

Ky dokumentar nuk është vetëm një pasqyrim filmik. Ai është një dëshmi e punës së përditshme, sakrificës dhe përgjegjësisë së efektivëve të MZSH-së, të cilët qëndrojnë në vijën e parë për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.

Realizimi i tij u bë i mundur falë bashkëpunimit dhe mbështetjes së Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, Bashkia Tiranë dhe strukturave të saj, duke krijuar një urë të rëndësishme komunikimi me publikun shqiptar dhe atë ndërkombëtar.

📍 Dokumentari u shfaq në kuadër të aktivitetit:

“Nga Përvoja në Veprim – Forcimi i Bashkëpunimit Shqiptaro-Gjerman dhe Ndërkombëtar në Mbrojtjen nga Zjarri, Shpëtimin dhe Mbrojtjen Civile”

Aktiviteti u zhvillua më dt 3 korrik 2026, në ambientet e Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, nën kujdesin e z. Stefan Dorbach me pjesëmarrjen midis të tjerëve edhe të përfaqësuesve nga DPMZSH, AKMC, QKUM, Ambasada e Polonisë, Ambasada e Japonisë, Ambasada e Austrisë, Banka Botërore, GIZ, si dhe të partnerëve të tjerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Ky takim shërbeu si një platformë e rëndësishme për prezantimin e përvojave konkrete të bashkëpunimit, shkëmbimin e praktikave të mira dhe diskutimin e mundësive për zhvillimin e partneriteteve dhe projekteve të reja në fushën e mbrojtjes nga zjarri, shpëtimit dhe mbrojtjes civile.

Për AFPRA-n, ky moment përfaqëson më shumë se një premierë dokumentari. Ai është një tjetër hap në drejtim të promovimit të vlerave të shërbimit zjarrfikës shqiptar, forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërtimit të urave të reja mes institucioneve, partnerëve dhe profesionistëve që ndajnë të njëjtin qëllim: një sistem më të fortë, më të përgatitur dhe më të vlerësuar të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit në Shqipëri.

🤝 Falenderojmë të gjithë institucionet, partnerët dhe të pranishmit që kontribuan në realizimin dhe mbështetjen e këtij aktiviteti.

Ambasa e Polonisë dhe PolishAid ne mbeshtetje te Qendrës së Trajnimit "A.F.P.R.A" ! main image

Ambasa e Polonisë dhe PolishAid ne mbeshtetje te Qendrës së Trajnimit "A.F.P.R.A" !

Një tjetër projekt zhvillimor i AFPRA, i mbështetur nga Ambasa e Polonisë dhe PolishAid, u përmbyll me sukses duke forcuar më tej bazat për zhvillimin e Qendrës së Trajnimit për Zjarrfikësit në Shqipëri.

Projekti përfshiu pajisje teknike zjarrfikëse, simulator për “Hyrjen me Forcë”, si dhe trajnimin e trajnerëve mbi temat “Hyrja me Forcë” dhe “Mbijetesa e Zjarrfikësit”.

Trajnimi i parë u zhvillua pranë Bashkisë Kamëz, në praninë e Ambasadorit të Polonisë Sh.T.Z. Wojciech Unolt, duke treguar se bashkëpunimi ndërkombëtar, përkushtimi lokal dhe angazhimi vullnetar mund të sjellin zhvillim real për shërbimin e MZSH-së.

Mirënjohje për taksapaguesit polakë, PolishAid dhe Ambasadën e Polonisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj rritjes së sigurisë publike në Shqipëri.

Ftojmë të gjitha strukturat e MZSH-së dhe institucionet e tjera të sigurisë të na kontaktojnë për trajnim dhe bashkëpunim në këto tema.

Dita e Arsimit: përvojë praktike për fëmijët 📚👧👦 main image

Dita e Arsimit: përvojë praktike për fëmijët 📚👧👦

Më 27 Janar, në bashkëpunim me DPSHTRR, AFPRA u bë pjesë e aktivitetit të zhvilluar pranë Piramidës, ku fëmijët patën mundësinë të njihen nga afër me punën e shërbimit zjarrfikës dhe rëndësinë e reagimit të sigurt në situata emergjente. 🧑‍🚒🚒

Përmes një përvoje praktike dhe interaktive, ata panë pajisje tekniko-zjarrfikëse, bënë pyetje, provuan elementë të pajisjeve dhe u përfshinë në një demonstrim të thjeshtë, duke mësuar në mënyrë të kuptueshme: si të veprojnë në rast zjarri, kë të njoftojnë dhe pse parandalimi është hapi i parë drejt sigurisë. 🔥✅

Ky bashkëpunim është një shembull i mirë se si edukimi mund të dalë “në terren” dhe të kthehet në njohuri të vlefshme për jetën e përditshme, sidomos për më të vegjlit. 🤝✨

Forcim i bashkëpunimit ndërmjet AFPRA dhe Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit të SDIS 66, Francë main image

Forcim i bashkëpunimit ndërmjet AFPRA dhe Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit të SDIS 66, Francë

Në qershor 2025, SDIS 66 i dhuroi Shoqatës AFPRA një autoçisternë zjarrfikëse 4x4, në kuadër të forcimit të kapaciteteve operacionale të saj.

Ndër të tjera, mjeti shërbeu për një muaj pranë MZSH-së Gramsh, duke ndihmuar në menaxhimin e disa zjarreve gjatë sezonit veror.

Në tetor 2025, Kryetari i AFPRA-s, z. Alban Laçi dhe Shefi i MZSH-së Gramsh, z. Ilir Llapushi, zhvilluan një vizitë pune pranë SDIS 66, ku u pritën me ngrohtësi nga kolegët francezë.

Gjatë vizitës u njohën nga afër me organizimin, mënyrën e funksionimit dhe teknologjinë moderne të shërbimit zjarrfikës francez, si dhe u zhvilluan takime me drejtues dhe ekipe operacionale të ndryshme.

Në përfundim, delegacioni shqiptar u prit nga Drejtori i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit të Rajonit të SDIS 66, Kolonel Éric Belgeoino, i cili vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm dhe kontributin e AFPRA-s në forcimin e kapaciteteve zjarrfikëse në Shqipëri.

U diskutuan gjithashtu mundësi të reja për bashkëpunim në trajnime, shkëmbim përvojash dhe rijetëzim të teknikës zjarrfikëse, për t’i dhënë një jetë të dytë mjeteve franceze në shërbim të bashkive shqiptare me më shumë nevoja.

Falënderime të veçanta për miqtë tanë të SDIS 66 për mbështetjen, profesionalizmin dhe gatishmërinë për të ndarë përvojën e tyre me Shqipërinë dhe AFPRA-n.