Forcim i bashkëpunimit ndërmjet AFPRA dhe Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit të SDIS 66, Francë

Në qershor 2025, SDIS 66 i dhuroi Shoqatës AFPRA një autoçisternë zjarrfikëse 4x4, në kuadër të forcimit të kapaciteteve operacionale të saj.

Ndër të tjera, mjeti shërbeu për një muaj pranë MZSH-së Gramsh, duke ndihmuar në menaxhimin e disa zjarreve gjatë sezonit veror.

Në tetor 2025, Kryetari i AFPRA-s, z. Alban Laçi dhe Shefi i MZSH-së Gramsh, z. Ilir Llapushi, zhvilluan një vizitë pune pranë SDIS 66, ku u pritën me ngrohtësi nga kolegët francezë.

Gjatë vizitës u njohën nga afër me organizimin, mënyrën e funksionimit dhe teknologjinë moderne të shërbimit zjarrfikës francez, si dhe u zhvilluan takime me drejtues dhe ekipe operacionale të ndryshme.

Në përfundim, delegacioni shqiptar u prit nga Drejtori i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit të Rajonit të SDIS 66, Kolonel Éric Belgeoino, i cili vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm dhe kontributin e AFPRA-s në forcimin e kapaciteteve zjarrfikëse në Shqipëri.

U diskutuan gjithashtu mundësi të reja për bashkëpunim në trajnime, shkëmbim përvojash dhe rijetëzim të teknikës zjarrfikëse, për t’i dhënë një jetë të dytë mjeteve franceze në shërbim të bashkive shqiptare me më shumë nevoja.

Falënderime të veçanta për miqtë tanë të SDIS 66 për mbështetjen, profesionalizmin dhe gatishmërinë për të ndarë përvojën e tyre me Shqipërinë dhe AFPRA-n.

AFPRA.