AFPRA përfundon me sukses fazën e parë të trajnimit të zjarrfikësve në Bashkitë Lezhë, Kamëz, Fier, Kurbin dhe Krujë !

Me kontributin e Qeverisë së Polonisë në bashkëpunim me UNDP dhe DPMZSH, Qendra e Formimit Profesional "SHOQATA A.F.P.R.A" e licencuar nga MFE dhe e përzgjedhur për të kryer trajnimin e personelit zjarrfikës në 10 Bashki të Shqipërisë, përfundoi me sukses trajnimin për strukturat e MZSH-së në Bashkitë Lezhë, Kamëz, Fier, Kurbin dhe Krujë.

Ky trajnim për të 5 bashkitë u zhvillua në tre qendra të improvizuara në Lezhë, Kamëz e Fier. Ekipi i përbërë nga trajnerë të huaj me eksperiencë prej disa shteteve si Finlandë, Estoni, Austri etj në bashkëpunim me ata lokalë nga më të mirët në fushën e MZSH-së, kreu mbi 200 orë trajnime në të cilat morën pjesë 132 zjarrfikës nga bashkitë pjesmarrëse.

Gjithashtu u bë e mundur pjesmarrja edhe e 11 zjarrfikësve nga Bashkitë Gjirokastër, Divjakë, Patos, Roskovec e Delvinë.

Pjesmarrësit ndër të tjera u trajnuan për kërkim shpëtimin urban në ndërtesat e shembura, operacionet e shpëtimit në automjete në aksidente rrugore, në parkimet nëntokësore të ndërtesave të larta si dhe për ndihmën e parë në ndërhyrjet e shërbimit te MZSH-së.

Gjatë këtij trajnimi spikatën zjarrfikësit e Bashkisë Kamëz por edhe ata të bashkive të tjera me pasionin e tyre për përvetësimin e dijeve të marra të cilat do të shërbejnë në situatat me të cilat ata përballen çdo ditë.

AFPRA.