AFPRA, pjesë e Projektit HARMONY! main image

AFPRA, pjesë e Projektit HARMONY!

Shoqata Shqiptare e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (AFPRA) ka kënaqësinë të njoftojë pjesëmarrjen e saj si partnere në projektin HARMONY – Protokolle të Harmonizuara për Vlerësimin Ndërkufitar të Ndikimit Mjedisor dhe Menaxhimin e Emergjencave, një nismë trevjeçare e financuar nga BE, e dedikuar forcimit të menaxhimit të rreziqeve nga fatkeqësitë në të gjithë Evropën.

Në kuadër të projektit HARMONY, AFPRA do të kontribuojë në Pilotin e Ballkanit Perëndimor në rajonin ndërkufitar Pustec (Shqipëri) – Maqedonia e Veriut, me fokus përmirësimin e gatishmërisë ndaj zjarreve në natyrë, forcimin e reagimit të koordinuar dhe rritjen e qëndrueshmërisë së komunitetit.

Roli ynë përfshin ngritjen e kapaciteteve, testimin e mjeteve inovative të paralajmërimit të hershëm dhe mbështetjen e bashkë-krijimit të protokolleve të harmonizuara që rrisin bashkëpunimin mes aktorëve lokalë, kombëtarë dhe rajonalë.

Me anë të këtij projekti, AFPRA vazhdon misionin e saj për të avancuar standardet e mbrojtjes nga zjarri, për të forcuar kapacitetet e reagimit emergjent dhe për të nxitur bashkëpunimin ndërinstitucional drejt një Shqipërie më të sigurt dhe më të qëndrueshme.

Përfundoi me sukses Trajnimi Bazik për Zjarrfikësit e Bazës Ajrore Farkë main image

Përfundoi me sukses Trajnimi Bazik për Zjarrfikësit e Bazës Ajrore Farkë

Gjatë kësaj jave, AFPRA – Shoqata Shqiptare për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin, zhvilloi në ambientet e Bazës Ajrore Farkë trajnimin bazik për efektivin zjarrfikës.

Ky trajnim u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë me Komandën e Bazës Ajrore Farkë dhe përkushtimit të veçantë të komandantit, nënkolonel Ervin Buzi, i cili ka treguar vëmendje të veçantë për forcimin e kapaciteteve të sektorit të MZSH-së, i cili është një komponent jetik për sigurinë e kësaj bazës.

Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u pajisën me njohuri teorike dhe aftësi praktike mbi reagimin ndaj zjarreve, përdorimin e automjeteve dhe pajisjeve tekniko-zjarrfikëse, si dhe zhvillimin e aftësive operacionale në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, ekipi i AFPRA pati gjithashtu mundësinë të shkëmbejë përvoja me pilotët e helikopterëve të Bazës Ajrore, duke ndarë perspektivat respektive mbi sfidat e ndërhyrjeve gjatë zjarreve në pyje. Ky dialog kontribuoi në kuptimin më të mirë të nevojave të ndërsjella mes ekipeve tokësore dhe atyre ajrore.

Shoqata AFPRA falënderon të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin dhe seriozitetin e treguar dhe mbetet e gatshme të vijojë mbështetjen për rritjen e kapaciteteve në çdo strukturë që i shërben sigurisë publike.

Forcimi i sektorit të MZSH është investim për sigurinë kolektive!

Aktivitet ndërgjegjësues i AFPRA-s në bashkëpunim me DPSHTRR ! main image

Aktivitet ndërgjegjësues i AFPRA-s në bashkëpunim me DPSHTRR !

Më 24 Janar, në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, shoqata AFPRA mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga DPSHTRR pranë Piramidës, ku ekspozoi pajisje tekniko-zjarrfikëse dhe një nga mjetet e saj zjarrfikëse. Fëmijëve iu dha mundësia të bëjnë pyetje, të provojnë pajisjet dhe të marrin pjesë në shuarjen e një zjarri demonstrues.

Nëpërmjet kësaj përvoje interaktive dhe argëtuese, fëmijët mësojnë në mënyrë praktike rreziqet që sjell një zjarr i pamenaxhuar, hapat që duhet të ndjekin në rast zjarri, personat dhe shërbimet që duhet të njoftojnë dhe mënyrën sesi vepron shërbimi zjarrfikës. Ky aktivitet shërben si një shembull i rëndësishëm se si edukimi dhe ndërgjegjësimi mund të jenë njëkohësisht të dobishme dhe argëtuese.

 

Kontribut i përbashkët AFPRA-IFRA dhe Bashkia Mallakastër ! main image

Kontribut i përbashkët AFPRA-IFRA dhe Bashkia Mallakastër !

Bashkia Mallakastër përmbylli sot për vitin 2024 dhe aktivitetet e AFPRA-s duke mirëpritur përfaqësuesit e saj në misionin e dhurimit të pajisjeve falë kontributit të shoqatës simotër skoceze IFRa.

Pjesë e këtij aktiviteti ishin Kryetari Bashkisë, z Qerim Ismailaj me ekipin e MZSH Mallakastër, Kryetari AFPRA-s z Alban Laçi, si dhe përfaqësues të shoqatës.

Në këtë takim u pa nga afër sfida e përditshme e këtij shërbimi si dhe nevoja për mjete e pajisje bashkohore në përmbushje të misionit të tyre fisnik.