Forcim i bashkëpunimit ndërmjet AFPRA dhe Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit të SDIS 66, Francë main image

Forcim i bashkëpunimit ndërmjet AFPRA dhe Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit të SDIS 66, Francë

Në qershor 2025, SDIS 66 i dhuroi Shoqatës AFPRA një autoçisternë zjarrfikëse 4x4, në kuadër të forcimit të kapaciteteve operacionale të saj.

Ndër të tjera, mjeti shërbeu për një muaj pranë MZSH-së Gramsh, duke ndihmuar në menaxhimin e disa zjarreve gjatë sezonit veror.

Në tetor 2025, Kryetari i AFPRA-s, z. Alban Laçi dhe Shefi i MZSH-së Gramsh, z. Ilir Llapushi, zhvilluan një vizitë pune pranë SDIS 66, ku u pritën me ngrohtësi nga kolegët francezë.

Gjatë vizitës u njohën nga afër me organizimin, mënyrën e funksionimit dhe teknologjinë moderne të shërbimit zjarrfikës francez, si dhe u zhvilluan takime me drejtues dhe ekipe operacionale të ndryshme.

Në përfundim, delegacioni shqiptar u prit nga Drejtori i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit të Rajonit të SDIS 66, Kolonel Éric Belgeoino, i cili vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm dhe kontributin e AFPRA-s në forcimin e kapaciteteve zjarrfikëse në Shqipëri.

U diskutuan gjithashtu mundësi të reja për bashkëpunim në trajnime, shkëmbim përvojash dhe rijetëzim të teknikës zjarrfikëse, për t’i dhënë një jetë të dytë mjeteve franceze në shërbim të bashkive shqiptare me më shumë nevoja.

Falënderime të veçanta për miqtë tanë të SDIS 66 për mbështetjen, profesionalizmin dhe gatishmërinë për të ndarë përvojën e tyre me Shqipërinë dhe AFPRA-n.

Përfundoi me sukses Trajnimi Bazik për Zjarrfikësit e Bazës Ajrore Farkë main image

Përfundoi me sukses Trajnimi Bazik për Zjarrfikësit e Bazës Ajrore Farkë

Gjatë kësaj jave, AFPRA – Shoqata Shqiptare për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin, zhvilloi në ambientet e Bazës Ajrore Farkë trajnimin bazik për efektivin zjarrfikës.

Ky trajnim u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë me Komandën e Bazës Ajrore Farkë dhe përkushtimit të veçantë të komandantit, nënkolonel Ervin Buzi, i cili ka treguar vëmendje të veçantë për forcimin e kapaciteteve të sektorit të MZSH-së, i cili është një komponent jetik për sigurinë e kësaj bazës.

Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u pajisën me njohuri teorike dhe aftësi praktike mbi reagimin ndaj zjarreve, përdorimin e automjeteve dhe pajisjeve tekniko-zjarrfikëse, si dhe zhvillimin e aftësive operacionale në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, ekipi i AFPRA pati gjithashtu mundësinë të shkëmbejë përvoja me pilotët e helikopterëve të Bazës Ajrore, duke ndarë perspektivat respektive mbi sfidat e ndërhyrjeve gjatë zjarreve në pyje. Ky dialog kontribuoi në kuptimin më të mirë të nevojave të ndërsjella mes ekipeve tokësore dhe atyre ajrore.

Shoqata AFPRA falënderon të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin dhe seriozitetin e treguar dhe mbetet e gatshme të vijojë mbështetjen për rritjen e kapaciteteve në çdo strukturë që i shërben sigurisë publike.

Forcimi i sektorit të MZSH është investim për sigurinë kolektive!

Aktivitet ndërgjegjësues i AFPRA-s në bashkëpunim me DPSHTRR ! main image

Aktivitet ndërgjegjësues i AFPRA-s në bashkëpunim me DPSHTRR !

Më 24 Janar, në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, shoqata AFPRA mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga DPSHTRR pranë Piramidës, ku ekspozoi pajisje tekniko-zjarrfikëse dhe një nga mjetet e saj zjarrfikëse. Fëmijëve iu dha mundësia të bëjnë pyetje, të provojnë pajisjet dhe të marrin pjesë në shuarjen e një zjarri demonstrues.

Nëpërmjet kësaj përvoje interaktive dhe argëtuese, fëmijët mësojnë në mënyrë praktike rreziqet që sjell një zjarr i pamenaxhuar, hapat që duhet të ndjekin në rast zjarri, personat dhe shërbimet që duhet të njoftojnë dhe mënyrën sesi vepron shërbimi zjarrfikës. Ky aktivitet shërben si një shembull i rëndësishëm se si edukimi dhe ndërgjegjësimi mund të jenë njëkohësisht të dobishme dhe argëtuese.

 

Shërbimi i MZSH-së Bashkia Tropojë, destinacioni i AFPRA ! main image

Shërbimi i MZSH-së Bashkia Tropojë, destinacioni i AFPRA !

Për vitin 2025, shërbimi MZSH-së Tropojë hapi siparin e aktiviteteve të AFPRA.

Me ndihmën e çmuar të shoqatave IFRA-Skoci e VAFFFA-Austri, e gjithashtu me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Tiranë dhe Projektit “Perspektiva të reja”, shoqata AFPRA dhuroi për shërbimin e këtij qyteti një sasi ndihmash materiale zjarrfikëse.

Në këtë ceremoni morën pjesë drejtuesi i MZSH-së z Fatmir Rexhaj dhe ekipi i tij, kryetari i AFPRA z Alban Laçi e drejtori i AKMC për rajonin e veriut z Besnik Hysaj.  

Pjesë e këtij aktiviteti  ishte dhe përfaqësuesi i Ambasadës Britanike në Tiranë z Nathan Dann dhe kordinatori projektit z Vasyl Chornyi.

Nga të pranishmit u vlerësua lart ndihma e shoqatave simotra dhe nga të ftuarit u shpreh dëshira për të kontribuar në rritjen e kapaciteteve të këtij shërbimi për t’u përballur me sukses sfidat e punës së përditshme.

Mjet i ri për MZSH Bashkia Gramsh ! main image

Mjet i ri për MZSH Bashkia Gramsh !

Falë kontributit të qeverisë dhe taksapaguesve të Japonisë, shoqata AFPRA mundësoi sigurimin e një mjeti të ri zjarrfikës për shërbimin e MZSH-së në Gramsh.

Në ceremoninë e organizuar për këtë qëllim në këtë bashki, morën pjesë ambasadorja japoneze në vendin tonë zj Kato, kryetari i bashkisë z Besian Ajazi, kryetari i AFPRA z Alban Laçi, zjarrfikësit e ketij qyteti me drejtuesin e palodhur z Ilir Llapushi e shumë të ftuar të tjerë.

Ju faleminderit të nderuar miq japonezë për ndihmën tuaj !