🚒 Trajnim për përdorimin e AMGT-ve me dy bombula – MZSH Gramsh

AFPRA zhvilloi një trajnim njëditor me personelin e MZSH Gramsh për njohjen dhe përdorimin e Aparateve të Mbrojtjes nga Gazi dhe Tymi (AMGT), me fokus aparatet me dy bombula ajri të komprimuar.

Trajnimi u mundësua nga Devoll Hydropower, nëpërmjet “Law & Health”, dhe mbështet përgatitjen e personelit për përdorimin e tre aparateve me dy bombula me të cilat është pajisur shërbimi, të lëvruara nga Extrabis Sh.p.k. për llogari të DHP-së.

Pjesa teorike u ndërthur me demonstrime dhe praktikë mbi kontrollet përpara përdorimit, vendosjen e aparatit, ndërrimin e bombulave, konsumin e ajrit dhe kujdesin për pajisjet pas përdorimit.

Më pas, dy çifte zjarrfikësish kryen një ushtrim të përshtatur me kërkesat e lëvizjes dhe punës në Hidrocentralin e Moglicës: rreth 1 200 metra vajtje–ardhje, ngjitje në katin e katërt, kryerje detyrash që kërkonin përqendrim dhe veprime të imëta, si dhe evakuimin e një manikini me barrelë. Udhëzimet për një nga detyrat u dhanë nga DSHZ-ja përmes radiondërlidhjes.

Gjatë ushtrimit, instruktorët ndoqën konsumin individual të ajrit, lodhjen, ritmin e punës, komunikimin dhe bashkëpunimin në çift luftuesish. Këto vëzhgime shërbejnë për të kuptuar si përdoren pajisjet në praktikë dhe ku duhet të përqendrohet stërvitja në vijim. Aktiviteti u zhvillua pranë stacionit të MZSH Gramsh, pa cënuar gatishmërinë e shërbimit.

Pajisjet japin mundësi më të mëdha, por përdorimi i tyre kërkon përgatitje të vazhdueshme. Kjo punë duhet të vazhdojë me njohjen e hidrocentralit dhe sistemeve të tij të mbrojtjes kundër zjarrit, plane ndërhyrjeje, radiondërlidhje funksionale dhe ushtrime të përbashkëta me personelin e DHP-së.

Falënderojmë Devoll Hydropower dhe “Law & Health” për mundësimin e trajnimit, si dhe drejtuesit e personelin e MZSH Gramsh për angazhimin dhe bashkëpunimin!

AFPRA.