Shoqata AFPRA, përmes një grupi të anëtarëve të saj që punojnë në shërbimet zjarrfikëse të vendeve të Bashkimit Europian, zhvilloi një takim pune me Ministrin e Brendshëm, z. Besfort Lamallari, dhe Drejtorin e Përgjithshëm të MZSH-së, Drejtues i Parë Zjarrfikës Ervis Gjoshi.
Diskutuam për hartimin e ligjit të ri, zhvillimin profesional të Shërbimit dhe kontributin e ekspertizës shqiptare në diasporë. Synimi është një model shqiptar që përshtat praktikat më të mira europiane me nevojat e vendit, duke ndërtuar mbi dijen, literaturën dhe traditën profesionale të krijuar ndër dekada nga brezat e zjarrfikësve.
Shqipëria ka zjarrfikës të përkushtuar, që meritojnë një sistem që i mbron, i trajnon, i pajis dhe i vlerëson në lartësinë e përgjegjësisë që mbajnë.
Mirëpresim angazhimin e Ministrit për përfshirjen e profesionistëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit në këtë proces: “Dera është e hapur për çdo kontribut shqiptar, kudo që ndodhet.”
AFPRA e mbështet këtë nismë dhe është e gatshme të kontribuojë me ekspertizën dhe përvojën e anëtarëve të saj.
Ftojmë profesionistët shqiptarë në diasporë të fushës së mbrojtjes nga zjarri, shpëtimit dhe mbrojtjes civile, që kanë mundësi dhe dëshirë të kontribuojnë, t’i bashkohen AFPRA-s. Së bashku mund ta kthejmë përvojën individuale në punë të organizuar për vendin.