Nga Memorandumi në Terren – Vizita e parë e @fire International në Shqipëri !

Pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet AFPRA – Albanian Fire Protection and Rescue Association dhe @fire International, bashkëpunimi ynë hodhi një hap tjetër të rëndësishëm: vizitën e parë të partnerëve tanë nga Gjermania në Shqipëri.

Në postimin tonë të mëparshëm shkruam se shumë shpejt prisnim vizitën e kthimit të miqve tanë, në mënyrë që edhe ata të njiheshin nga afër me terrenin, natyrën dhe potencialin që vendi ynë ofron në fushën e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit. Këtë herë, ata patën mundësinë ta shihnin Shqipërinë nga afër.

Gjatë vizitës, AFPRA prezantoi partnerët e @fire International me bashki, shërbime vendore të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si dhe aktorë të tjerë institucionalë, duke u dhënë atyre një pasqyrë reale mbi kushtet, sfidat dhe nevojat konkrete në terren. Partnerët tanë patën gjithashtu mundësinë të vizitonin një vatër zjarri, ku panë nga afër karakteristikat e terrenit, mënyrën e ndërhyrjes dhe rëndësinë që kanë kapacitetet e përgatitura, të koordinuara dhe të integruara me sistemin ekzistues të MZSH-së.

Një moment shumë i rëndësishëm i kësaj vizite ishte takimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit dhe Drejtorin e Përgjithshëm, ku AFPRA dhe @fire International prezantuan vizionin dhe planet e përbashkëta për të ardhmen. Në këtë takim u theksua qartë se çdo iniciativë e përbashkët do të zhvillohet në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi, në koordinim me institucionet përgjegjëse dhe me qëllim të vetëm: fuqizimin e sistemit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Shqipëri.

Për AFPRA-n, ky bashkëpunim nuk është thjesht një marrëdhënie ndërkombëtare në letër. Është një mundësi konkrete për të sjellë eksperiencë, trajnime, modele organizimi dhe mbështetje praktike, duke i përshtatur ato me realitetin shqiptar dhe duke i vendosur në shërbim të institucioneve dhe komuniteteve tona.

Falënderojmë partnerët tanë nga @fire International për seriozitetin, përkushtimin dhe gatishmërinë për të njohur nga afër realitetin shqiptar, si dhe të gjitha institucionet, bashkitë dhe shërbimet vendore që mirëpritën këtë vizitë dhe ndanë eksperiencën e tyre.

🤝 Zjarret nuk njohin kufij, dhe as bashkëpunimi në luftën kundër tyre.

Së bashku, nga përvoja në veprim, për një sistem më të fortë, më të përgatitur dhe më të koordinuar të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Shqipëri.

AFPRA.