🎬 Premiera në Shqipëri e dokumentarit "Blaulicht Albanien"

Për herë të parë në Shqipëri, Shoqata AFPRA, nëpërmjet anëtarit të saj z. Grei Papa, prezantoi dokumentarin “Blaulicht Albanien” – një projekt i veçantë që sjell në vëmendje zhvillimin, sfidat, përkushtimin dhe profesionalizmin e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në vendin tonë.

Ky dokumentar nuk është vetëm një pasqyrim filmik. Ai është një dëshmi e punës së përditshme, sakrificës dhe përgjegjësisë së efektivëve të MZSH-së, të cilët qëndrojnë në vijën e parë për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.

Realizimi i tij u bë i mundur falë bashkëpunimit dhe mbështetjes së Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, Bashkia Tiranë dhe strukturave të saj, duke krijuar një urë të rëndësishme komunikimi me publikun shqiptar dhe atë ndërkombëtar.

📍 Dokumentari u shfaq në kuadër të aktivitetit:

“Nga Përvoja në Veprim – Forcimi i Bashkëpunimit Shqiptaro-Gjerman dhe Ndërkombëtar në Mbrojtjen nga Zjarri, Shpëtimin dhe Mbrojtjen Civile”

Aktiviteti u zhvillua më dt 3 korrik 2026, në ambientet e Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, nën kujdesin e z. Stefan Dorbach me pjesëmarrjen midis të tjerëve edhe të përfaqësuesve nga DPMZSH, AKMC, QKUM, Ambasada e Polonisë, Ambasada e Japonisë, Ambasada e Austrisë, Banka Botërore, GIZ, si dhe të partnerëve të tjerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Ky takim shërbeu si një platformë e rëndësishme për prezantimin e përvojave konkrete të bashkëpunimit, shkëmbimin e praktikave të mira dhe diskutimin e mundësive për zhvillimin e partneriteteve dhe projekteve të reja në fushën e mbrojtjes nga zjarri, shpëtimit dhe mbrojtjes civile.

Për AFPRA-n, ky moment përfaqëson më shumë se një premierë dokumentari. Ai është një tjetër hap në drejtim të promovimit të vlerave të shërbimit zjarrfikës shqiptar, forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërtimit të urave të reja mes institucioneve, partnerëve dhe profesionistëve që ndajnë të njëjtin qëllim: një sistem më të fortë, më të përgatitur dhe më të vlerësuar të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit në Shqipëri.

🤝 Falenderojmë të gjithë institucionet, partnerët dhe të pranishmit që kontribuan në realizimin dhe mbështetjen e këtij aktiviteti.

AFPRA.