🌍🔥 AFPRA partnere në projektin europian HARMONY !

AFPRA është partnere në projektin europian HARMONY – Harmonised Protocols for Transnational Environmental Impact Assessment & Emergency Management, një iniciativë trevjeçare që synon përmirësimin e menaxhimit të emergjencave në zona ndërkufitare.

Projekti fokusohet në harmonizimin e protokolleve të reagimit ndaj rreziqeve mjedisore, forcimin e kapaciteteve vendore, përmirësimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm, si dhe rritjen e koordinimit ndërinstitucional dhe ndërkufitar.

Në këtë kuadër, më 27 Prill 2026, u zhvillua një workshop në Bashkinë Pustec, si pjesë e aktiviteteve të projektit në zonën pilot. AFPRA do të kontribuojë në pilotimin e menaxhimit të rrezikut nga zjarret në pyje në zonën Shqipëri – Maqedoni e Veriut, përmes zhvillimit të protokolleve të përbashkëta operative, organizimit të trajnimeve dhe ushtrimeve praktike, analizës së kapaciteteve ekzistuese dhe testimit të mjeteve inovative për paralajmërim të hershëm.

Pjesë e këtij takimi ishin strukturat përgjegjëse të Bashkisë Pustec dhe përfaqësues nga Maqedonia e Veriut, si dhe aktorë të rëndësishëm si AKMC, AdZM dhe Policia e Shtetit, të cilët kanë rol të drejtpërdrejtë në menaxhimin e emergjencave dhe për të cilët ky projekt sjell vlerë konkrete.

Zona pilot e përzgjedhur është Bashkia Pustec, për shkak të pozicionit të saj strategjik ndërkufitar dhe rëndësisë së veçantë mjedisore, duke përfshirë edhe Parkun Kombëtar të Prespës.

HARMONY zbatohet në tre rajone ndërkufitare në Europë: Spanjë – Portugali, Greqi – Bullgari dhe Shqipëri – Maqedoni e Veriut, me synimin për të adresuar një sfidë të përbashkët: fatkeqësitë nuk njohin kufij, ndaj edhe menaxhimi i tyre kërkon bashkëpunim, koordinim dhe protokolle të harmonizuara. 🤝

AFPRA.