Përvoja shqiptare, në shërbim të Shqipërisë ! main image

Përvoja shqiptare, në shërbim të Shqipërisë !

Shoqata AFPRA, përmes një grupi të anëtarëve të saj që punojnë në shërbimet zjarrfikëse të vendeve të Bashkimit Europian, zhvilloi një takim pune me Ministrin e Brendshëm, z. Besfort Lamallari, dhe Drejtorin e Përgjithshëm të MZSH-së, Drejtues i Parë Zjarrfikës Ervis Gjoshi.

Diskutuam për hartimin e ligjit të ri, zhvillimin profesional të Shërbimit dhe kontributin e ekspertizës shqiptare në diasporë. Synimi është një model shqiptar që përshtat praktikat më të mira europiane me nevojat e vendit, duke ndërtuar mbi dijen, literaturën dhe traditën profesionale të krijuar ndër dekada nga brezat e zjarrfikësve.

Shqipëria ka zjarrfikës të përkushtuar, që meritojnë një sistem që i mbron, i trajnon, i pajis dhe i vlerëson në lartësinë e përgjegjësisë që mbajnë.

Mirëpresim angazhimin e Ministrit për përfshirjen e profesionistëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit në këtë proces: “Dera është e hapur për çdo kontribut shqiptar, kudo që ndodhet.”

AFPRA e mbështet këtë nismë dhe është e gatshme të kontribuojë me ekspertizën dhe përvojën e anëtarëve të saj.

Ftojmë profesionistët shqiptarë në diasporë të fushës së mbrojtjes nga zjarri, shpëtimit dhe mbrojtjes civile, që kanë mundësi dhe dëshirë të kontribuojnë, t’i bashkohen AFPRA-s. Së bashku mund ta kthejmë përvojën individuale në punë të organizuar për vendin.

🚒 Mbështetje për Shërbimin Zjarrfikës Gramsh ! main image

🚒 Mbështetje për Shërbimin Zjarrfikës Gramsh !

Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm që AFPRA ka ndërtuar me partnerë dhe miq nga Austria dhe Gjermania, me profile dhe nga fusha të ndryshme, por të bashkuar nga i njëjti qëllim, lufta kundër zjarreve dhe shpëtimi i jetës; u realizua një tjetër kontribut për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të Shërbimit Zjarrfikës Gramsh, përmes mbështetjes me logjistikë dhe pajisje teknike zjarrfikëse.

Gjatë ceremonisë së organizuar në Gramsh, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje, AFPRA dorëzoi një certifikatë mirënjohjeje për "Lions Club Mühldorf-Waldkraiburg", si lokomotiva e kësaj mbështetjeje.

AFPRA shpreh vlerësimin për të gjithë ata që kontribuojnë në iniciativa konkrete dhe të koordinuara me nevojat dhe mundësitë reale të shërbimeve zjarrfikëse, me një qëllim të përbashkët: forcimin e shërbimeve zjarrfikëse dhe rritjen e sigurisë për çdo shtetas, vendas dhe të huaj.

Por përtej çdo donacioni, ky është edhe një moment reflektimi. Mbështetja nga partnerët dhe miqtë është e çmuar, por sistemi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit nuk mund të mbështetet vetëm mbi donacione. Ai ka nevojë për investime të qëndrueshme, planifikim afatgjatë, pajisje moderne, trajnim të vazhdueshëm dhe vëmendje institucionale në çdo nivel.

AFPRA do të vijojë të jetë një urë bashkëpunimi mes partnerëve ndërkombëtarë dhe shërbimeve zjarrfikëse në vend, por qëllimi ynë mbetet më i madh: forcimi real dhe i qëndrueshëm i të gjithë sistemit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit në Shqipëri.

🤝 Kur bashkëpunimi kthehet në veprim, përfiton i gjithë komuniteti

🌍🔥 AFPRA aktivitet për projektin europian HARMONY ! main image

🌍🔥 AFPRA aktivitet për projektin europian HARMONY !

Në kuadër të projektit europian HARMONY – Harmonised Protocols for Transnational Environmental Impact Assessment & Emergency Management, një iniciativë trevjeçare që synon përmirësimin e menaxhimit të emergjencave në zona ndërkufitare, më 27 Prill 2026, u zhvillua një workshop në Bashkinë Pustec, si pjesë e aktiviteteve të projektit në zonën pilot. AFPRA do të kontribuojë në pilotimin e menaxhimit të rrezikut nga zjarret në pyje në zonën Shqipëri – Maqedoni e Veriut, përmes zhvillimit të protokolleve të përbashkëta operative, organizimit të trajnimeve dhe ushtrimeve praktike, analizës së kapaciteteve ekzistuese dhe testimit të mjeteve inovative për paralajmërim të hershëm.

Pjesë e këtij takimi ishin strukturat përgjegjëse të Bashkisë Pustec dhe përfaqësues nga Maqedonia e Veriut, si dhe aktorë të rëndësishëm si AKMC, AdZM dhe Policia e Shtetit, të cilët kanë rol të drejtpërdrejtë në menaxhimin e emergjencave dhe për të cilët ky projekt sjell vlerë konkrete.

Zona pilot e përzgjedhur është Bashkia Pustec, për shkak të pozicionit të saj strategjik ndërkufitar dhe rëndësisë së veçantë mjedisore, duke përfshirë edhe Parkun Kombëtar të Prespës.

HARMONY zbatohet në tre rajone ndërkufitare në Europë: Spanjë – Portugali, Greqi – Bullgari dhe Shqipëri – Maqedoni e Veriut, me synimin për të adresuar një sfidë të përbashkët: fatkeqësitë nuk njohin kufij, ndaj edhe menaxhimi i tyre kërkon bashkëpunim, koordinim dhe protokolle të harmonizuara. 🤝

🔥 Mbështetje për forcimin e kapaciteteve zjarrfikëse në Klos 🔥 main image

🔥 Mbështetje për forcimin e kapaciteteve zjarrfikëse në Klos 🔥

Në kuadër të bashkëpunimit me Bashkinë Klos, AFPRA realizoi sot dhurimin e disa pajisjeve zjarrfikëse për Shërbimin Zjarrfikës në Klos, me synim rritjen e sigurisë dhe forcimin e gatishmërisë për ndërhyrje në raste emergjente. Kjo mbështetje vjen si një kontribut konkret për përmirësimin e kapaciteteve operacionale dhe garantimin e një reagimi sa më të shpejtë, të koordinuar dhe efikas në shërbim të komunitetit.

Pajisjet e dhuruara do të ndihmojnë në lehtësimin e punës së efektivëve në terren, duke rritur mundësitë për ndërhyrje më të sigurta dhe më të efektshme, si në rastet e zjarreve ashtu edhe në situata të tjera emergjente. Për AFPRA, forcimi i strukturave lokale të reagimit mbetet një prioritet, pasi është pikërisht reagimi i parë në kohë ai që shpesh bën diferencën në mbrojtjen e jetës dhe pasurisë së qytetarëve.

📌 Gjatë takimit u diskutua gjithashtu mundësia e organizimit të trajnimeve për efektivin zjarrfikës, ku AFPRA, me mbështetjen e Bashkisë Klos, mund të kontribuojë në rritjen e aftësive profesionale, shkëmbimin e praktikave më të mira dhe përgatitjen për menaxhimin e situatave të ndryshme emergjente në mënyrë sa më profesionale.

🔎 Po ashtu, u trajtuan edhe mundësi të tjera bashkëpunimi në të ardhmen, me fokus në iniciativa që lidhen me sigurinë publike, emergjencat civile, rritjen e ndërgjegjësimit dhe forcimin e kapaciteteve në nivel lokal. Qëllimi ynë është që ky të jetë një bashkëpunim i qëndrueshëm, i cili sjell rezultate të prekshme dhe përfitime direkte për qytetarët.

🤝 Faleminderit Bashkisë Klos dhe Shërbimit Zjarrfikës për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre.

AFPRA, pjesë e Projektit HARMONY! main image

AFPRA, pjesë e Projektit HARMONY!

Shoqata Shqiptare e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (AFPRA) ka kënaqësinë të njoftojë pjesëmarrjen e saj si partnere në projektin HARMONY – Protokolle të Harmonizuara për Vlerësimin Ndërkufitar të Ndikimit Mjedisor dhe Menaxhimin e Emergjencave, një nismë trevjeçare e financuar nga BE, e dedikuar forcimit të menaxhimit të rreziqeve nga fatkeqësitë në të gjithë Evropën.

Në kuadër të projektit HARMONY, AFPRA do të kontribuojë në Pilotin e Ballkanit Perëndimor në rajonin ndërkufitar Pustec (Shqipëri) – Maqedonia e Veriut, me fokus përmirësimin e gatishmërisë ndaj zjarreve në natyrë, forcimin e reagimit të koordinuar dhe rritjen e qëndrueshmërisë së komunitetit.

Roli ynë përfshin ngritjen e kapaciteteve, testimin e mjeteve inovative të paralajmërimit të hershëm dhe mbështetjen e bashkë-krijimit të protokolleve të harmonizuara që rrisin bashkëpunimin mes aktorëve lokalë, kombëtarë dhe rajonalë.

Me anë të këtij projekti, AFPRA vazhdon misionin e saj për të avancuar standardet e mbrojtjes nga zjarri, për të forcuar kapacitetet e reagimit emergjent dhe për të nxitur bashkëpunimin ndërinstitucional drejt një Shqipërie më të sigurt dhe më të qëndrueshme.