🎬 Premiera në Shqipëri e dokumentarit "Blaulicht Albanien" main image

🎬 Premiera në Shqipëri e dokumentarit "Blaulicht Albanien"

Për herë të parë në Shqipëri, Shoqata AFPRA, nëpërmjet anëtarit të saj z. Grei Papa, prezantoi dokumentarin “Blaulicht Albanien” – një projekt i veçantë që sjell në vëmendje zhvillimin, sfidat, përkushtimin dhe profesionalizmin e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në vendin tonë.

Ky dokumentar nuk është vetëm një pasqyrim filmik. Ai është një dëshmi e punës së përditshme, sakrificës dhe përgjegjësisë së efektivëve të MZSH-së, të cilët qëndrojnë në vijën e parë për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.

Realizimi i tij u bë i mundur falë bashkëpunimit dhe mbështetjes së Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, Bashkia Tiranë dhe strukturave të saj, duke krijuar një urë të rëndësishme komunikimi me publikun shqiptar dhe atë ndërkombëtar.

📍 Dokumentari u shfaq në kuadër të aktivitetit:

“Nga Përvoja në Veprim – Forcimi i Bashkëpunimit Shqiptaro-Gjerman dhe Ndërkombëtar në Mbrojtjen nga Zjarri, Shpëtimin dhe Mbrojtjen Civile”

Aktiviteti u zhvillua më dt 3 korrik 2026, në ambientet e Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, nën kujdesin e z. Stefan Dorbach me pjesëmarrjen midis të tjerëve edhe të përfaqësuesve nga DPMZSH, AKMC, QKUM, Ambasada e Polonisë, Ambasada e Japonisë, Ambasada e Austrisë, Banka Botërore, GIZ, si dhe të partnerëve të tjerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Ky takim shërbeu si një platformë e rëndësishme për prezantimin e përvojave konkrete të bashkëpunimit, shkëmbimin e praktikave të mira dhe diskutimin e mundësive për zhvillimin e partneriteteve dhe projekteve të reja në fushën e mbrojtjes nga zjarri, shpëtimit dhe mbrojtjes civile.

Për AFPRA-n, ky moment përfaqëson më shumë se një premierë dokumentari. Ai është një tjetër hap në drejtim të promovimit të vlerave të shërbimit zjarrfikës shqiptar, forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërtimit të urave të reja mes institucioneve, partnerëve dhe profesionistëve që ndajnë të njëjtin qëllim: një sistem më të fortë, më të përgatitur dhe më të vlerësuar të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit në Shqipëri.

🤝 Falenderojmë të gjithë institucionet, partnerët dhe të pranishmit që kontribuan në realizimin dhe mbështetjen e këtij aktiviteti.

🚒 Mbështetje për Shërbimin Zjarrfikës Gramsh ! main image

🚒 Mbështetje për Shërbimin Zjarrfikës Gramsh !

Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm që AFPRA ka ndërtuar me partnerë dhe miq nga Austria dhe Gjermania, me profile dhe nga fusha të ndryshme, por të bashkuar nga i njëjti qëllim, lufta kundër zjarreve dhe shpëtimi i jetës; u realizua një tjetër kontribut për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të Shërbimit Zjarrfikës Gramsh, përmes mbështetjes me logjistikë dhe pajisje teknike zjarrfikëse.

Gjatë ceremonisë së organizuar në Gramsh, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje, AFPRA dorëzoi një certifikatë mirënjohjeje për "Lions Club Mühldorf-Waldkraiburg", si lokomotiva e kësaj mbështetjeje.

AFPRA shpreh vlerësimin për të gjithë ata që kontribuojnë në iniciativa konkrete dhe të koordinuara me nevojat dhe mundësitë reale të shërbimeve zjarrfikëse, me një qëllim të përbashkët: forcimin e shërbimeve zjarrfikëse dhe rritjen e sigurisë për çdo shtetas, vendas dhe të huaj.

Por përtej çdo donacioni, ky është edhe një moment reflektimi. Mbështetja nga partnerët dhe miqtë është e çmuar, por sistemi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit nuk mund të mbështetet vetëm mbi donacione. Ai ka nevojë për investime të qëndrueshme, planifikim afatgjatë, pajisje moderne, trajnim të vazhdueshëm dhe vëmendje institucionale në çdo nivel.

AFPRA do të vijojë të jetë një urë bashkëpunimi mes partnerëve ndërkombëtarë dhe shërbimeve zjarrfikëse në vend, por qëllimi ynë mbetet më i madh: forcimi real dhe i qëndrueshëm i të gjithë sistemit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit në Shqipëri.

🤝 Kur bashkëpunimi kthehet në veprim, përfiton i gjithë komuniteti

Ambasa e Polonisë dhe PolishAid ne mbeshtetje te Qendrës së Trajnimit "A.F.P.R.A" ! main image

Ambasa e Polonisë dhe PolishAid ne mbeshtetje te Qendrës së Trajnimit "A.F.P.R.A" !

Një tjetër projekt zhvillimor i AFPRA, i mbështetur nga Ambasa e Polonisë dhe PolishAid, u përmbyll me sukses duke forcuar më tej bazat për zhvillimin e Qendrës së Trajnimit për Zjarrfikësit në Shqipëri.

Projekti përfshiu pajisje teknike zjarrfikëse, simulator për “Hyrjen me Forcë”, si dhe trajnimin e trajnerëve mbi temat “Hyrja me Forcë” dhe “Mbijetesa e Zjarrfikësit”.

Trajnimi i parë u zhvillua pranë Bashkisë Kamëz, në praninë e Ambasadorit të Polonisë Sh.T.Z. Wojciech Unolt, duke treguar se bashkëpunimi ndërkombëtar, përkushtimi lokal dhe angazhimi vullnetar mund të sjellin zhvillim real për shërbimin e MZSH-së.

Mirënjohje për taksapaguesit polakë, PolishAid dhe Ambasadën e Polonisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj rritjes së sigurisë publike në Shqipëri.

Ftojmë të gjitha strukturat e MZSH-së dhe institucionet e tjera të sigurisë të na kontaktojnë për trajnim dhe bashkëpunim në këto tema.

AFPRA, pjesë e Projektit HARMONY! main image

AFPRA, pjesë e Projektit HARMONY!

Shoqata Shqiptare e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (AFPRA) ka kënaqësinë të njoftojë pjesëmarrjen e saj si partnere në projektin HARMONY – Protokolle të Harmonizuara për Vlerësimin Ndërkufitar të Ndikimit Mjedisor dhe Menaxhimin e Emergjencave, një nismë trevjeçare e financuar nga BE, e dedikuar forcimit të menaxhimit të rreziqeve nga fatkeqësitë në të gjithë Evropën.

Në kuadër të projektit HARMONY, AFPRA do të kontribuojë në Pilotin e Ballkanit Perëndimor në rajonin ndërkufitar Pustec (Shqipëri) – Maqedonia e Veriut, me fokus përmirësimin e gatishmërisë ndaj zjarreve në natyrë, forcimin e reagimit të koordinuar dhe rritjen e qëndrueshmërisë së komunitetit.

Roli ynë përfshin ngritjen e kapaciteteve, testimin e mjeteve inovative të paralajmërimit të hershëm dhe mbështetjen e bashkë-krijimit të protokolleve të harmonizuara që rrisin bashkëpunimin mes aktorëve lokalë, kombëtarë dhe rajonalë.

Me anë të këtij projekti, AFPRA vazhdon misionin e saj për të avancuar standardet e mbrojtjes nga zjarri, për të forcuar kapacitetet e reagimit emergjent dhe për të nxitur bashkëpunimin ndërinstitucional drejt një Shqipërie më të sigurt dhe më të qëndrueshme.

Përfundoi me sukses Trajnimi Bazik për Zjarrfikësit e Bazës Ajrore Farkë main image

Përfundoi me sukses Trajnimi Bazik për Zjarrfikësit e Bazës Ajrore Farkë

Gjatë kësaj jave, AFPRA – Shoqata Shqiptare për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin, zhvilloi në ambientet e Bazës Ajrore Farkë trajnimin bazik për efektivin zjarrfikës.

Ky trajnim u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë me Komandën e Bazës Ajrore Farkë dhe përkushtimit të veçantë të komandantit, nënkolonel Ervin Buzi, i cili ka treguar vëmendje të veçantë për forcimin e kapaciteteve të sektorit të MZSH-së, i cili është një komponent jetik për sigurinë e kësaj bazës.

Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u pajisën me njohuri teorike dhe aftësi praktike mbi reagimin ndaj zjarreve, përdorimin e automjeteve dhe pajisjeve tekniko-zjarrfikëse, si dhe zhvillimin e aftësive operacionale në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, ekipi i AFPRA pati gjithashtu mundësinë të shkëmbejë përvoja me pilotët e helikopterëve të Bazës Ajrore, duke ndarë perspektivat respektive mbi sfidat e ndërhyrjeve gjatë zjarreve në pyje. Ky dialog kontribuoi në kuptimin më të mirë të nevojave të ndërsjella mes ekipeve tokësore dhe atyre ajrore.

Shoqata AFPRA falënderon të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin dhe seriozitetin e treguar dhe mbetet e gatshme të vijojë mbështetjen për rritjen e kapaciteteve në çdo strukturë që i shërben sigurisë publike.

Forcimi i sektorit të MZSH është investim për sigurinë kolektive!